Kjo strategji është hartuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me institucionet përkatëse, sektorin privat, akterët e fushëveprimtarive të turizmit dhe përfaqësues nga bashkëpunimi ndërkombëtar për zhvillim.
Ky dokument ofron një kornizë strategjike për zhvillimin e turizmit, duke synuar ta bëjë Kosovën një destinacion atraktiv për vizitorët vendor e ndërkombëtarë. Ky zhvillim pritet të ndikojë pozitivisht në ekonominë e vendit, rritjen e punësimit dhe përmirësimin e mirëqenies socio-ekonomike të qytetarëve të Kosovës.
Metodologjia për hartim të kësaj strategjie është udhëhequr nga parimet e “Modelit të St. Gallen për menaxhim të destinacionit” (SGDM), që ofron një qasje alternative dhe inovative për t’i kuptuar sjelljet dhe dinamikat komplekse të turistëve.
Vizioni i Strategjisë së Turizmit të Kosovës është që:
Deri në vitin 2030 Kosova do të shndërrohet në një destinacion të qëndrueshëm turistik dhe konkurrent në Ballkanin Perëndimor.
Strategjia e Turizmit përfshin 5 objektiva strategjike:
Rritja e aktiviteteve promovuese dhe përmirësimi i rrjedhës së informacionit;
Krijimi dhe avancimi i infrastrukturës cilësore dhe të qëndrueshme për zhvillim të turizmit;
Zgjerimi i ofertës turistike sipas standardeve të qëndrueshmërisë dhe rritja e konkurrueshmërisë;
Ngritja e kapaciteteve njerëzore për rritje të kuadrove në treg të punës dhe përmirësim të shërbimeve dhe
Avancimi i kornizës rregullative dhe të politikave të turizmit
Strategjia e Turizmit të Kosovës 2030, si një strategji me shtrirje horizontale në shumë ministri, për shkak të ndërlidhjeve me fushat tjera si: kultura, mjedisi, infrastruktura, transporti, bujqësia, zhvillimi rural, arsimi, përfshin masat e planifikuara për zbatim nga ministritë përkatëse, sipas fushëveprimtarisë së tyre.
Efektiviteti i zbatueshmërisë së Strategjisë së Turizmit të Kosovës 2030, do të kërkojë veprime të bashkërenduara, angazhim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve qeveritare, sektorit privat dhe partnerëve nga bashkëpunimi ndërkombëtar për zhvillim.