Në këtë takim, u theksua rëndësia e bashkëpunimit në mes të institucioneve qendrore dhe atyre lokale, për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të qytetit të Kamenicës.
Tashmë kemi hartuar dhe miratuar të gjithë kornizën ligjore si reformë e re për përcaktimin e arsyeshmërisë ekonomike, teknologjike, ligjore, mjedisore, e administrative të studimit të fizibilitetit për themelimin e parqeve industriale dhe tekonologjike, formën, administrimin dhe menaxhimin e tyre në vendin tonë.
Me reformën e re për Parqet Industriale e Teknologjike dhe investimet kapitale në vazhdim, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është duke i ndërtuar dhe sjellur në funksion zonat ekonomike, të certifikuara shumë vite më parë, si dhe duke i themeluar parqet industriale e teknologjike të reja, dhe inkubatorë të biznesit në profilet e ndryshme në shërbim të nevojave të industrisë.
Kryetari Rrahimaj, prezantoi planet dhe progresin e arritur drejt zhvillimit të një Inkubatori të Biznesit në komunën e Kamenicës. Ai mirëpriti diskutimin me Ministren Hajdari, lidhur me reformën dhe progresin e arritur nga MINT, në krijimin dhe zhvillimin e parqeve industriale e teknologjike, në komunat e ndryshme në Kosovë, me synim:
-Nxitjen e investimeve;
-Promovimin e teknologjive të avancuara, aktiviteteve të prodhimit dhe përpunimit, inovacionit dhe shërbimeve me vlerë të shtuar;
-Rritjen e punësimit dhe trajnimit;
-Lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve; si dhe
-Rritjen e konkurrencës dhe eksporteve.
Jemi të angazhuar maksimalisht për të shpalosur potencialin e shumë zonave të rëndësishme në vend, përmes qasjes strategjike të investimit, menaxhimit dhe administrimit, për të rritur kështu përformancën e duhur të të gjitha parqeve industriale e teknologjike në vend, në shërbim ndaj bizneseve dhe investitorëve vendor, nga diaspora dhe të huaj, në Republikën e Kosovës.








