Në panelin e diskutimeve të ministrave “Ekonomia kreative në perspektivë”, të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mori pjesë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, e cila theksoi rëndësinë e ekonomisë kreative për rritjen ekonomike dhe për promovimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
ërveç Ministres Hajdari, në panel ishin edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrullah Çeku, si dhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci.
Ministrja Hajdari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërministror dhe në nivel komunal për të shpalosur potencialet e mëdha të ndërmarrësve dhe rinisë sonë kreative. Ajo njoftoi se gjatë hartimit të Strategjisë për Specializim të Mençur (S3) është kuptuar se industria kreative në Kosovë ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim.
Ajo theksoi rëndësinë e dizajnit grafik, dizajnit të produktit dhe projekteve inovative që ndërthurin estetikën tradicionale dhe bashkëkohore, si dhe sektorin digjital dhe të teknologjisë që po nxit kreativitetin përmes inovacionit.
Ministrja tha se industria kreative po luan një rol të rëndësishëm në promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe në tërheqjen e turistëve. Ajo shtoi se klima e të bërit biznes në Kosovë është përmirësuar dukshëm dhe se Kosova është një vend lider në Ballkanin Perëndimor për industrinë kreative.




