Në fjalën hyrëse, Ministrja Hajdari theksoi se industria e prodhimit luan një rol të rëndësishëm dhe të ndërlidhur në arkitekturë, ndërsa prodhimi është sektori me adoptimin e dytë më të lartë të inteligjencës artificiale, me ndikim të ndjeshëm në zhvillimin dhe dizajnin e produktit, mirëmbajtjen e makinerisë, sigurimin e cilësisë, inspektimin e defekteve dhe automatizimin e linjave të prodhimit, për të avancuar proceset e prodhimit.
Ministrja Hajdari njoftoi për vizionin e Qeverisë së Kosovës dhe objektivat strategjike të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në shpalosjen e potencialit të industrisë prodhuese dhe inovacionit, për të kontribuar në mënyrë më efektive në zhvillimin e përgjithshëm të vendit. Ajo përmendi krijimin e Agjencisë për Inovacion dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve dhe krijimin e Fondit të Inovacionit, si një mekanizëm për mbështetjen e inovacionit në sektorë të ndryshëm industrialë prodhues dhe kreativë, përfshirë arkitekturën.
Duke i dhënë rëndësi rritjes së bashkëpunimit mes industrisë dhe akademisë, Ministrja Hajdari theksoi investimet kapitale në vazhdim nga MINT në zgjerimin e hapësirave fizike për subjektet dhe individët që kryejnë aktivitete inovative dhe zhvillimin e ekosistemit inovativ, përmes ndërtimit të inkubatorëve të biznesit dhe qendrave të inovacionit e ndërmarrësisë, në kuadër të universiteteve publike dhe pronave të tjera institucionale në Kosovë.
Në hapje të kësaj konference folën gjithashtu Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, Ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, z. Arben Hajrullahu.












