Gjatë takimit, me konsensus të plotë u miratua vendimi përfundimtar për emërimin e Drejtores së re të Sekretariatit të CEFTA-s, znj. Pranvera Kastrati.
Ky emërim u bë pas një procesi përzgjedhjeje të ndarë në tri faza: skanimi fillestar, intervistat dhe vlerësimi përfundimtar i mbajtur në javën e parë të korrikut në Bruksel, të realizuara me përfshirjen e ekspertëve të jashtëm dhe të gjitha Palëve të CEFTA-s, si dhe me mbështetjen e Komisionit Evropian.
Znj. Valentina Superti, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, theksoi se emërimi i Drejtores së re, është thelbësor jo vetëm për CEFTA-n, por edhe për BE-në me mundësi financiare për të mbështetur Sekretariatin e CEFTA-s. Ajo nënvizoi se ky proces i emërimit ishte në pritje për 2 vite, si dhe mirëpriti procesin transparent të përzgjedhjes nën Kryesimin e Kosovës, për kandidaturën e parë në renditje, me pikët më të larta në vlerësim.
Ministrja Hajdari theksoi se kjo vendimmarrje me votim me konsenus të plotë, shënon një moment të rëndësishëm të vazhdimësisë institutionale të CEFTA-s.
Sekretariati i CEFTA-s, luan një rol të rëndësishëm në mbështetje të zbatimit të agjendës strategjike të CEFTA-s, lehtëson dialogun ndërmjet Palëve dhe siguron zbatimin efektiv të masave të CEFTA-s në kuadër të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM2) që është shtylla e 2- të e Planit të Rritjes të BE-së për nxitjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor.
Ministrja në detyrë znj. Rozeta Hajdari shprehi urimet e saj të sinqerta, për emërimin e suksesshëm të znj. Pranvera Kastrati në drejtimin e Sekretariatit të CEFTA-s, duke shprehur sigurinë e saj se znj. Kastrati do të punoj në mënyrë efektive me palët e CEFTA-s për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes së CEFTA-s dhe përmbushjen e angazhimeve të përbashkëta drejt integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimit të integrimit me Tregun e Vetëm të BE-së.