Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim përfaqësuesit e sektorit të verërave, me të cilët diskutoi për zhvillimin dhe potencialin e këtij sektori në Kosovë.
Ajo theksoi se rrugëtimi i këtij sektori lidhet me një angazhim mbi një dekadë e gjysmë, që nga momenti kur për herë të parë kishte filluar diskutimet dhe punën me shoqatën e verëtarëve të Kosovës për kuotën e eksportit të verërave në tregun e Bashkimit Evropian.
Sipas saj, sot verërat e Kosovës, me cilësi të dëshmuar, standarde të garantuara dhe kualitet të konfirmuar, përfaqësojnë një dëshmi të prodhimit vendor dhe një ambasador të denjë të produkteve kosovare.
Gjatë takimit u theksua se ky sektor përfaqëson një zinxhir të plotë vlere, nga kultivimi i hardhive të rrushit, përpunimi dhe prodhimi, deri te eksporti i verës, duke gjeneruar punësim dhe të ardhura për shumë familje, veçanërisht në zonat rurale.
Përfaqësuesit e Bodrumi i Vjetër, Stone Castle, Kosova Wine dhe Illyrian paraqitën rrugëtimin e tyre në tregun kosovar dhe depërtimin në tregjet ndërkombëtare, ndërsa u diskutua edhe për projektet e reja dhe mundësitë e mbështetjes nga Ministria për këtë sektor me rëndësi strategjike për ekonominë e vendit.
Ministrja bëri të ditur se vlera e eksportit të verërave të Kosovës ka arritur rreth 1.2 milion euro, duke dëshmuar potencialin në rritje të këtij sektori dhe nevojën për mbështetje të mëtejshme për zgjerim në tregjet ndërkombëtare.
Në fund, ajo theksoi se “Made in Kosova” po dëshmohet çdo ditë përmes shijes dhe cilësisë së verërave vendore.



