Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim përfaqësuesit e Innovation and Training Park (ITP), me të cilët diskutoi për zhvillimin e ekosistemit të inovacionit dhe rolin strategjik të këtij institucioni në vend.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore, sektorit privat dhe akademisë, si dhe avancimi i politikave dhe mekanizmave financiarë që mbështesin inovacionin dhe ndërmarrësinë.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe roli i ITP-së si një qendër kryesore për zhvillimin e teknologjisë, kërkim-zhvillimit dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë në Kosovë.
Po ashtu, u trajtua lidhja ndërmjet arsimit dhe tregut të punës përmes modelit Dual VET, me theks të veçantë në nevojën për rritjen e fokusit në fushat STEM dhe digjitalizimin.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se Ministria do të vazhdojë të angazhohet në fuqizimin e inovacionit dhe zhvillimin e sektorëve strategjikë, përfshirë teknologjitë e gjelbra dhe industrinë e qëndrueshme.


