Ministrja Kusari-Lila: Komisioni për Ekonomi rekomandon marrëveshjen me shtetet e EFTA-s

Prishtinë,
23/04/2026

Sipas ministres, me 7 vota për dhe 1 abstenim është miratuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të integrimit ekonomik në tregjet evropiane me fuqi të lartë blerëse.

Ajo theksoi se kjo marrëveshje krijon mundësi të reja për eksport dhe investime, duke paraparë eliminimin e tarifave doganore për shumicën e produkteve industriale, përmirësimin e qasjes në treg për produktet bujqësore, si dhe rregulla më të qarta për tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, përfshirë sektorë si financat, teknologjia e informacionit dhe turizmi.

Ministrja bëri të ditur se tregtia me vendet e EFTA-s ka shënuar rritje të qëndrueshme, me eksportet që janë rritur nga 77.5 milionë euro në vitin 2023 në mbi 100 milionë euro në vitin 2025, duke përbërë rreth 10 për qind të eksporteve totale të Kosovës, ndërsa ratifikimi i kësaj marrëveshjeje pritet të rrisë më tej praninë e produkteve vendore në tregjet ndërkombëtare dhe të forcojë besimin e investitorëve të huaj.

Po ashtu, u bë e ditur se Komisioni ka miratuar edhe Protokollet 5, 6 dhe 7 të CEFTA, të cilat mbulojnë tregtinë, shërbimet dhe arbitrazhin, me synim lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal.

Në të njëjtën mbledhje është miratuar edhe Projektligji për Ndërmarrësi dhe Inovacion, i cili synon krijimin e një ekosistemi më të zhvilluar sipërmarrës, duke mbështetur startup-et, idetë inovative dhe transformimin ekonomik drejt një modeli të qëndrueshëm dhe të orientuar nga dijenia.

Ministrja Kusari-Lila theksoi se këto vendime përfaqësojnë hapa konkretë drejt një ekonomie më konkurruese dhe më të integruar, duke krijuar më shumë mundësi për bizneset vendore, dhe shtoi se puna do të vazhdojë me përkushtim për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe zgjerim të mundësive për sektorin privat në Kosovë.

Gallery Image

Gallery Image

Gallery Image

Gallery Image

Gallery Image

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors