Hyn në fuqi vendimi për përcaktimin e marzhës për shitjen e derivateve në Republikën e Kosovës

Prishtinë,
04/04/2026

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka nënshkruar vendimin për caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të konkurrencës së drejtë dhe të ndershme në tregun vendor. Vendimi ka hyrë në fuqi të shtunën, datë: 04.04.2026.

Ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, përmes evidencave të përditshme të Doganës së Kosovës dhe raporteve nga ana e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes.

Sipas të dhënave aktuale:

• Nafta ka hyrë në doganë me çmim prej 1.77 euro për litër, ndërsa mund të shitet për 1.91 euro për litër;

• Benzina 1.30 euro ka hyrë në doganë, 1.44 arrin shitjen në tregun vendor.

Me këtë vendim është përcaktuar marzha tregtare maksimale e lejuar si në vijim:

Shitja me shumicë: deri në 2 eurocent për litër;

Shitja me pakicë: deri në 12 eurocent për litër.

Përmes këtij vendimi, të marrë të premten, më 03.04.2026, i cili hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, parashihet mbikëqyrje e shtuar inspektuese nga Inspektorati i Qendror i Mbikëqyerjes së Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës.

Inspektorët vazhdojnë të jenë në terren dhe do të monitorojnë zbatimin e këtij vendimi.

MINTI u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë vendimin për përcaktimin e marzhës së lejuar, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e konsumatorëve dhe funksionimi i drejtë i tregut.

Si dhe, të gjithë ata që e shkelin këtë vendim do të dënohen, përfshirë edhe në mënyrë retroaktive

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors