Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka vizituar fabrikën “GreenHouse” në Zahaq të Pejës, në prag të hapjes zyrtare të saj, duke vlerësuar këtë investim si një shembull të rëndësishëm të zhvillimit të industrisë prodhuese dhe eksportuese në Kosovë.
Fabrika “GreenHouse”, e themeluar nga Nazmi Mehmetaj dhe Visar Rexhepaj, është rezultat i përvojës shumëvjeçare të fituar në Zvicër, ku themeluesit kanë ushtruar të njëjtën veprimtari profesionale. Me besim në potencialin ekonomik të Kosovës, ata kanë vendosur të investojnë në vendlindje dhe të rikthejnë familjet e tyre për të jetuar dhe ndërtuar të ardhmen në Kosovë.
Ky investim, i nisur në vitin 2015, sot ka afro 40 punëtorë të angazhuar, përfshirë edhe gra të punësuara, ndërsa pjesa më e madhe e fuqisë punëtore vjen nga rajoni i Pejës, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Gjatë vizitës u theksua se fabrika është e pajisur me teknologji moderne, robotikë dhe makina bashkëkohore të prodhimit. Lënda e parë importohet nga Gjermania dhe Austria, ndërsa përpunimi dhe prodhimi realizohen në Kosovë.
Produktet e kompanisë tashmë eksportohen në disa vende evropiane, përfshirë Zvicrën, Gjermaninë, Luksemburgun, Francën, Italinë, Islandën dhe Holandën, ndërsa interesim ka pasur edhe nga tregu amerikan.
Ministrja Kusari-Lila bëri të ditur se MINTI ka mbështetur kompaninë për pjesëmarrje në panaire evropiane, të cilat kanë ndihmuar në krijimin e kontratave të reja të shitjes dhe zgjerimin e tregjeve ndërkombëtare për produktet e saj.
Aktualisht, kapaciteti prodhues i kompanisë arrin deri në dy shtëpi të drurit në ditë, duke reflektuar rritjen e vazhdueshme të biznesit dhe potencialin e industrisë prodhuese në Kosovë.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se MINTI do të vazhdojë mbështetjen për bizneset vendore, me qëllim të fuqizimit të prodhimit vendor, rritjes së eksporteve dhe promovimit të Kosovës si vend i sigurt dhe atraktiv për investime.