Ministrja Kusari-Lila prezantoi potencialin ekonomik të Kosovës në Forumin Ekonomik të Vjenës

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrin e Infrastrukturës, Dimal Basha, prezantoi potencialin ekonomik të Kosovës, progresin e arritur gjatë viteve të fundit dhe mundësitë që vendi ofron për investitorët dhe partnerët austriakë e ndërkombëtarë.

Gjatë forumit u theksua se Kosova po vazhdon të shënojë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm falë reformave të ndërmarra, stabilitetit institucional dhe orientimit të qartë drejt zhvillimit ekonomik. Sipas të dhënave të prezantuara, që nga viti 2019 tregtia e jashtme e vendit është më shumë se dyfishuar, eksportet janë rritur me 146 për qind, ndërsa investimet e huaja direkte kanë arritur në afër 10 për qind të Bruto Produktit Vendor, duke e renditur Kosovën ndër ekonomitë më dinamike në rajon.

Në fjalën e saj, ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal, zbatimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian dhe krijimit të një mjedisi më të favorshëm për zhvillimin e sektorit privat. Ajo veçoi zhvillimin e parqeve industriale dhe teknologjike në komunat e Kosovës, të cilat synojnë tërheqjen e investimeve, nxitjen e inovacionit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ministrja theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e kapaciteteve prodhuese vendore dhe mbështetjen e ndërmarrjeve që synojnë zgjerimin në tregjet ndërkombëtare, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës dhe tërheqjen e investimeve të reja.

Duke folur për marrëdhëniet ekonomike me Austrinë, Kusari-Lila vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe potencoi se Austria mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Kosovës. Gjatë vitit 2025, eksportet e Kosovës drejt Austrisë kanë tejkaluar 15 milionë euro, ndërsa importet nga Austria kanë arritur në 110.6 milionë euro, duke reflektuar potencialin për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.

Në përfundim, ministrja përcolli mesazhin se Kosova mbetet një vend i sigurt për investime, me institucione stabile, fuqi punëtore të re dhe të kualifikuar, si dhe me potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe partneritete afatgjata.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors