Në përmbyllje të konferencës “She Rises 2026”, paneli “Punësimi i Grave në Kosovë: Barrierat, Diskriminimi dhe Hendeku në Tregun e Punës” solli diskutime të rëndësishme mbi sfidat dhe mundësitë për fuqizimin ekonomik të grave.
Me Arta Berishën, këshilltare në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Jehona Namani Rexhën, drejtoreshë në Departamentin e Administratës Publike (DAP), Elmira Pajazitin, drejtoreshë në Qendrën për Mundësi dhe Edukim (QME), dhe Brikena Berishën, drejtoreshë në Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS), u diskutua për rëndësinë e aftësimit profesional, orientimit në karrierë dhe krijimit të mundësive të reja për gratë dhe vajzat në tregun e punës. U theksua nevoja për informim më të madh mbi programet e trajnimit dhe punësimit, veçanërisht për gratë e komuniteteve, të cilat shpesh përballen me mungesë informacioni dhe qasje më të kufizuar në mundësi zhvillimi.
Diskutimi trajtoi gjithashtu barrierat sistematike, diskriminimin gjatë procesit të punësimit dhe në vendin e punës, sfidat në avancimin drejt pozicioneve vendimmarrëse, si dhe rëndësinë e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Mesazhi i përbashkët i panelit ishte se investimi në aftësimin profesional, krijimi i mundësive të barabarta dhe mbështetja e grave në punësim dhe ndërmarrësi nuk janë vetëm çështje të barazisë gjinore, por edhe parakushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror.
Mbyllja e konferencës u bë nga Saxhide Mustafa, e cila u shpreh e lumtur për pjesëmarrjen masive të grave në këtë konferencë dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për mirëqenien dhe fuqizimin e grave.
Në kuadër të konferencës u mbajt edhe paneli “Historitë e Suksesit dhe Fuqizimi i Grave në Ndërmarrësi”, me pjesëmarrjen e:
• Gentiana Alija – Themeluese dhe Drejtoreshë Ekzekutive, Alfa Solar Energy L.L.C.
• Flandra Marmullaku – Bashkëthemeluese dhe Drejtoreshë Ekzekutive, Data4X | Source2X
• Leonora Fejzullahu – Themeluese dhe Menaxhere, Eco Exclusive
• Liridona Osmani – Themeluese dhe Drejtoreshë Ekzekutive, Hajde Folim LLC