Prezantohet Raporti Vjetor i Inspektimeve 2025, ministrja Kusari-Lila thekson angazhimin për një treg të sigurt

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në prezantimin e Raportit të Përgjithshëm Vjetor mbi Inspektimet për vitin 2025, të hartuar nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ku u prezantuan të dhënat dhe rezultatet e punës së inspektorateve në nivel vendi.

Në raport përfshihet edhe puna e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), i cili vepron në kuadër të MINTI-t. Ministrja Kusari-Lila theksoi se inspektorët e ministrisë janë çdo ditë në terren për të mbrojtur interesin publik, konsumatorët dhe për të garantuar funksionimin e drejtë të tregut.

Ajo bëri të ditur se Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit 2026–2030 ndodhet në fazën e konsultimit publik, ndërsa është përfunduar edhe drafti i parë i Ligjit të ri për Mbrojtjen e Konsumatorit, me synim avancimin e kornizës ligjore dhe forcimin e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.

Ministrja veçoi disa nga aktivitetet kryesore të ndërmarra gjatë muajve të fundit, përfshirë verifikimin e zbatimit të vendimit për çmimet maksimale të derivateve të naftës, kontrollin e njehsorëve elektrikë për të garantuar matje të sakta, mbikëqyrjen e ndarjes së produkteve të qumështit me bazë shtazore dhe atyre me bazë bimore, inspektimet për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, si dhe aksionet e përbashkëta me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Policinë e Kosovës.

Sipas saj, mbrojtja e konsumatorit mbetet një përgjegjësi e vazhdueshme institucionale, gjë që dëshmohet edhe nga puna e Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ka trajtuar mbi 1,800 ankesa të qytetarëve.

Kusari-Lila theksoi se MINTI do të vazhdojë të forcojë mekanizmat e mbikëqyrjes së tregut, duke garantuar zbatimin e ligjit, mbrojtjen e konsumatorëve dhe funksionimin e një tregu të drejtë e transparent në Republikën e Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors