Agjencia për Pronësi Industriale shënon rritje të regjistrimeve dhe avancim të digjitalizimit në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026

Agjencia për Pronësi Industriale, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka përmbyllur gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 me rezultate të rëndësishme në rritjen e efikasitetit të shërbimeve, avancimin e procesit të digjitalizimit dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke forcuar më tej sistemin e pronësisë industriale në Republikën e Kosovës.

Statistikat e periudhës janar–qershor 2026 dëshmojnë një rritje të konsiderueshme të performancës së Agjencisë. Numri i regjistrimeve të markave tregtare është rritur nga 837 në 1,163, ose 38.95% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po ashtu, ekzaminimet e markave tregtare janë rritur me 12.45%, certifikatat e regjistrimit me 18.22%, ndërsa vazhdimet e regjistrimit të markave tregtare me 28.88%. Edhe të hyrat e Agjencisë kanë shënuar rritje, duke arritur në 206,715 euro, ose 6.2% më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Një nga treguesit më domethënës është edhe shkurtimi i kohës së procedurës së regjistrimit të markave tregtare. Në krahasim me vitin 2024, koha mesatare e regjistrimit është zvogëluar për gati tre muaj, duke reflektuar efikasitet më të madh administrativ dhe ofrim më të shpejtë të shërbimeve për bizneset dhe qytetarët.

Një arritje tjetër strategjike gjatë kësaj periudhe është përfundimi me sukses i migrimit në IPAS 4.0, versioni më i avancuar i sistemit të administrimit të pronës industriale të mbështetur nga WIPO. Ky sistem krijon bazën teknike për ofrimin e shërbimeve online si pjesë e procesit të digjitalizimit të plotë të Agjencisë.

API-ja ka shënuar progres të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e sistemit të pronësisë industriale. Është dakorduar në parim Marrëveshja Teknike e Bashkëpunimit me Zyrën Austriake të Patentave, e cila pritet të formalizohet së shpejti. Përmes kësaj marrëveshjeje do të krijohet një shërbim krejtësisht i ri për inovatorët dhe aplikuesit në Kosovë, duke mundësuar ekzaminimin substancial të patentave nga ekspertët e Zyrës Austriake të Patentave. Ky bashkëpunim do të rrisë cilësinë e procedurave të patentimit, do të fuqizojë besueshmërinë e sistemit dhe do t’u ofrojë shpikësve në Kosovë qasje në ekspertizë të avancuar evropiane.

Gjatë kësaj periudhe, Agjencia ka forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë përmes përfshirjes në projektin rajonal EU4IP – Strengthening Intellectual Property Rights in the Western Balkans, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga EUIPO, si dhe avancimit të përgatitjeve për zbatimin e programit Swiss PartnershIP – Kosovë, të mbështetur nga Qeveria Zvicerane. Këto iniciativa do të kontribuojnë në forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale në Kosovë, përmes përafrimit të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian, ngritjes së kapaciteteve institucionale, zhvillimit të ekosistemit të inovacionit dhe mbështetjes së mbrojtjes së produkteve vendore me tregues gjeografikë.

Krahas këtyre zhvillimeve, gjatë kësaj periudhe u publikua edhe libri “Markat Tregtare në Kosovë – Analizë e Parimeve Kryesore përmes Praktikës së Agjencisë për Pronësi Industriale”, botuar nga Vokshi & Lata Law Firm. Libri paraqet analizën e parë të praktikës administrative të Agjencisë dhe shërben si një referencë e rëndësishme për bizneset, profesionistët dhe institucionet, duke kontribuar në rritjen e sigurisë juridike, transparencës dhe unifikimit të praktikës në fushën e markave tregtare.

Arritjet e realizuara gjatë kësaj periudhe dëshmojnë progresin e Agjencisë në rritjen e efikasitetit të shërbimeve, avancimin e digjitalizimit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar në zhvillimin e një sistemi modern dhe të besueshëm të pronësisë industriale në Republikën e Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors