Ministrja Kusari-Lila priti në takim drejtuesit e kompanisë “Gacaferi 1957”

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim drejtuesit e kompanisë “Gacaferi 1957”, Naim dhe Urim Gacaferi, me të cilët diskutoi për zhvillimin e kompanisë, mundësitë e zgjerimit të mëtejmë dhe rolin e saj në promovimin e produkteve të Kosovës në tregjet ndërkombëtare.

Gjatë takimit, ministrja vlerësoi rrugëtimin e kompanisë, e cila prej dekadash ka ndërtuar një histori suksesi në prodhimin e kuzhinave, mobilieve dhe dizajnit të enterierit, duke ndërthurur mjeshtërinë tradicionale me inovacionin bashkëkohor.

Në takim u theksua se “Gacaferi 1957”, me 26 punëtorë dhe plane konkrete për zgjerim, dëshmon se cilësia, përkushtimi dhe inovacioni janë themeli i një biznesi konkurrues, jo vetëm në tregun vendor, por edhe në atë ndërkombëtar.

Ministrja Kusari-Lila dhe drejtuesit e kompanisë diskutuan edhe për zhvillimin e mëtejshëm të proceseve të punës përmes teknologjisë, përfshirë mundësinë e zhvillimit të një aplikacioni që do t’u mundësonte klientëve të vizualizonin kuzhinat në mënyrë digjitale në hapësirat e tyre, para realizimit të projektit.

Po ashtu, gjatë bashkëbisedimit u theksua rëndësia e diasporës së Kosovës si një urë e fuqishme për zgjerimin e eksporteve dhe depërtimin e produkteve kosovare në tregjet e Zvicrës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane.

Ministrja vlerësoi edhe bashkëpunimin shumëvjeçar të kompanisë me partnerët italianë, i cili ka kontribuar në suksesin e saj ndër vite. Si dëshmi e këtij bashkëpunimi, drejtuesi i kompanisë, Naim Gacaferi, është nderuar me titullin Konsull Nderi nga Ambasada e Italisë.

Me këtë rast, Kusari-Lila theksoi se biznese si “Gacaferi 1957” janë shembulli më i mirë se tradita, cilësia dhe inovacioni mund të ecin së bashku, duke krijuar produkte që e përfaqësojnë me dinjitet Republikën e Kosovës në tregjet ndërkombëtare.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors