Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në ndejën lamtumirëse të organizuar për ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, me ç’rast e falënderoi për angazhimin dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se Kosova dhe Zvicra ndajnë një partneritet të veçantë, të ndërtuar mbi besimin, bashkëpunimin dhe solidaritetin, ndërsa një rol të rëndësishëm në forcimin e këtyre marrëdhënieve e luan edhe diaspora kosovare në Zvicër, e cila përbën një urë të fuqishme lidhëse mes dy vendeve.
Ajo vlerësoi ambasadorin Sprecher për profesionalizmin, qasjen e tij të hapur dhe kontributin në avancimin e bashkëpunimit dypalësh gjatë mandatit të tij në Kosovë.
Ministrja rikujtoi se gjatë kësaj periudhe janë shënuar disa arritje të rëndësishme në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve. Në mesin e tyre veçoi prezantimin dhe miratimin në Kuvend të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, me seli në Zvicër, e cila krijon mundësi të reja për tregti dhe investime. Po ashtu, ajo përmendi edhe nënshkrimin e marrëveshjes në vlerë prej 8 milionë frangash zvicerane për pesë vitet e ardhshme, e cila do të mbështesë transformimin e gjelbër të ndërmarrjeve në sektorin privat.
Në përmbyllje, ministrja Kusari-Lila e falënderoi ambasadorin Sprecher për miqësinë dhe bashkëpunimin e deritanishëm, duke i uruar shëndet dhe suksese në angazhimet e tij të ardhshme, si dhe duke theksuar se Kosova do ta mirëpresë gjithmonë si një mik të saj.