Ministrja Kusari-Lila: Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit kërkojnë bashkëpunim dhe zbatim të vazhdueshëm të ligjit

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë sot, me ftesë të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, në takimin e organizuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me përfaqësuesit e zinxhirëve të supermarketeve në Kosovë.

Takimi u përqendrua në çështje që lidhen me sigurinë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorit dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi, duke trajtuar respektimin e standardeve për produktet ushqimore, etiketimin korrekt, kushtet e ruajtjes dhe ekspozimit të produkteve, si dhe praktikat e drejta tregtare.

Gjatë diskutimit, ministrja Kusari-Lila theksoi se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit tashmë ka një bazë të fuqishme ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve dhe funksionimin e drejtë të tregut.

Ajo nënvizoi se përmes Ligjit për Tregtinë e Brendshme dhe Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit janë krijuar mekanizma të qartë për parandalimin e praktikave mashtruese, garantimin e etiketimit të saktë dhe transparent të produkteve, si dhe sigurimin e informacionit të nevojshëm që konsumatorët të marrin vendime të informuara. Në këtë kuadër, ministrja rikujtoi edhe masat e ndërmarra për ndarjen e qartë të produkteve me origjinë shtazore nga ato me origjinë bimore, si një shembull konkret i mbrojtjes së interesit të konsumatorit.

Ministrja Kusari-Lila theksoi gjithashtu se MINTI do të vazhdojë të përdorë instrumentet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e prodhimit vendor dhe konkurrencës së ndershme, përfshirë masat antidumping, masat mbrojtëse në importe dhe zbatimin e legjislacionit për produktet themelore në rastet e destabilizimit të tregut.

Ajo vlerësoi se mbrojtja e konsumatorit, respektimi i standardeve dhe krijimi i një tregu transparent janë jo vetëm obligime ligjore, por edhe parakushte për zhvillimin e një ekonomie konkurruese dhe rritjen e besimit të qytetarëve në treg. Për këtë arsye, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat mbetet thelbësor për zbatimin efektiv të këtyre standardeve.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors