Agjencia për Pronësi Industriale nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Zyrën Austriake të Patentave, shërbim i ri për inovatorët dhe bizneset

Agjencia për Pronësi Industriale (API), që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), dhe Zyra Austriake e Patentave (APO) kanë nënshkruar në Vjenë Memorandum Bashkëpunimi, duke shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e sistemit të patentave në Republikën e Kosovës dhe në zgjerimin e shërbimeve për bizneset, inovatorët dhe shpikësit.

Përmes këtij Memorandumi Bashkëpunimi, Agjencia për Pronësi Industriale do të ketë qasje në shërbimet e Zyrës Austriake të Patentave për kërkimin mbi gjendjen e teknikës (state of the art search) dhe përgatitjen e opinioneve profesionale lidhur me risinë, hapin shpikës dhe zbatueshmërinë industriale të shpikjeve.

Këto shërbime do t’u mundësojnë aplikuesve në Kosovë që kërkesat e tyre për patentë të mbështeten në vlerësime profesionale dhe ekzaminime substanciale të realizuara nga një institucion evropian me ekspertizë të avancuar në fushën e patentave.

Ky bashkëpunim përbën një shërbim të ri për ekosistemin e inovacionit në Kosovë, i cili do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së procedurave të shqyrtimit të patentave, në ofrimin e një vlerësimi më të qartë për potencialin e shpikjeve dhe në krijimin e më shumë sigurisë juridike gjatë procesit të mbrojtjes së tyre.

Memorandumi Bashkëpunimi parasheh gjithashtu trajnime të specializuara për stafin e Agjencisë për Pronësi Industriale, shkëmbim të ekspertizës dhe praktikave më të mira, si dhe aktivitete të përbashkëta për avancimin e sistemit të pronësisë industriale në Republikën e Kosovës.

Nënshkrimi i këtij Memorandumi Bashkëpunimi paraqet një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të një sistemi më efikas të patentave në Kosovë dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore për komunitetin e biznesit, inovatorët dhe shpikësit, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors