Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, ka theksuar rëndësinë e Arsimit Dual për zhvillimin e aftësive profesionale të të rinjve dhe lidhjen e tyre me tregun e punës.
Mehmeti tha se Arsimi Dual është më shumë se një model arsimimi, pasi lidh shkollën me vendin e punës, teorinë me praktikën dhe aftësitë e të rinjve me nevojat reale të ekonomisë. Ai theksoi se MINTI po përpiqet ta mbështesë këtë qasje përmes politikave për zhvillimin industrial.
Sipas tij, është e nevojshme të ndryshohet mënyra se si shihet arsimi profesional, duke theksuar se një profesion i mirë sjell dije, pavarësi, dinjitet dhe mundësi për ndërtimin e një karriere të suksesshme.
“Çdo i ri që sot mëson një profesion, nesër mund të bëhet profesionist i kërkuar, të krijojë biznesin e tij, të punësojë të tjerë dhe të kontribuojë në zhvillimin e Kosovës”, u shpreh Mehmeti.
Ai theksoi se krahas investimeve në industri, teknologji, inovacion dhe infrastrukturë moderne, investimi më i rëndësishëm mbetet investimi në njerëz.
“Investimet krijojnë kapacitetin. Ndërmarrjet krijojnë vlerën. Por njerëzit krijojnë zhvillimin”, tha zëvendësministri Mehmeti.
Mehmeti vlerësoi se Arsimi Dual duhet të jetë një prej urave më të forta ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes së të rinjve, në mënyrë që ata të fitojnë dijen, profesionin dhe aftësitë për të ndërtuar vetë të ardhmen e tyre.
Zëvendësministri shprehu mirënjohje për Odën Ekonomike të Kosovës dhe LuxDev për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e Arsimit Dual dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.

