Për bizneset që operojnë në zonën e ish-ndërmarrjeve “Metaliku” dhe “Virgjinia” në Gjakovë, si dhe bizneset e tjera prodhuese në komunën e Gjakovës.
Të nderuar përfaqësues të bizneseve,
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ju njofton se më 19 gusht 2026 (e mërkurë), në ora 14:00, në Sallën e Konferencave të Hotel Happy, do të mbahet një takim informues me bizneset që operojnë në zonën e ish-ndërmarrjeve “Metaliku” dhe “Virgjinia”, por edhe me të gjitha bizneset e tjera prodhuese, që operojnë në këtë komunë.
Në këtë takim do të jetë e pranishme ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila, ku temë e diskutimit do të jenë “fazat e implementimit të projektit për ndërtimin e Zonës Industriale në Gjakovë”, si dhe çështjet që ndërlidhen me realizimin e këtij projekti.
Qëllimi i takimit është që bizneset të informohen drejtpërdrejt dhe në mënyrë transparente lidhur me procedurat dhe dinamikën e realizimit të projektit, destinimin e zonës, hapat e mëtejmë të implementimit, si dhe rëndësinë që ky projekt paraqet për zhvillimin ekonomik të komunës së Gjakovës dhe rajonit.
Njëkohësisht, takimi do të shërbejë si mundësi për shkëmbim të informatave, adresim të çështjeve me interes për bizneset dhe diskutim të drejtpërdrejtë lidhur me procesin dhe ndikimin e projektit në veprimtarinë e tyre.
Pjesëmarrja juaj është e rëndësishme për një proces sa më transparent, gjithëpërfshirës dhe në interes të zhvillimit të sektorit privat në Gjakovë.
Ju mirëpresim!