Ministrja Kusari-Lila vizitoi kompaninë Buçaj, diskutohet për sfidat dhe mundësitë e sektorit privat

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka vizituar kompaninë Buçaj, ku është pritur nga drejtuesi i saj, Erand Ahmeti.

Gjatë vizitës, ministrja Kusari-Lila dhe Ahmeti kanë diskutuar për historinë e krijimit dhe zhvillimit të kompanisë, transformimin e saj ndër vite, sfidat me të cilat përballet dhe perspektivën e mëtejshme të ndërmarrjes.

E themeluar në vitin 1994, Buçaj sh.p.k. sot është një kompani vendore me rol të rëndësishëm në sektorin e distribuimit në Kosovë dhe rajon. Kompania aktualisht punëson 458 punonjës, bashkëpunon me mijëra klientë dhe ka një portofol prej më shumë se 1,000 produkteve.

Gjatë diskutimit janë adresuar edhe sfidat me të cilat përballen bizneset, përfshirë qasjen në financim, koston e kredidhënies, kushtet e likuiditetit dhe vonesat në pagesa, të cilat ndikojnë në rrjedhën e parasë dhe kapacitetet investuese të ndërmarrjeve.

Në këtë drejtim, Kusari-Lila ka theksuar se në kuadër të MINTI-t janë përgatitur Ligji për Kamatëvonesat në Transaksionet Tregtare dhe Ligji për Tregtinë e Brendshme, me qëllim të forcimit të disiplinës së pagesave, rritjes së sigurisë në marrëdhëniet tregtare dhe lehtësimit të të bërit biznes.

Ajo ka bërë të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe MINTI do të vazhdojnë punën për politika ekonomike dhe fiskale të parashikueshme, administrim më efikas, formalizim të ekonomisë, lehtësim të investimeve dhe mbështetje për ndërmarrjet që rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.

Sipas ministres, forcimi i sektorit privat kontribuon në rritjen e investimeve, punësimit, bazës tatimore dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors