Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka vizituar Komunën e Suharekës, ku është takuar me kryetarin e komunës, Bali Muharremaj, me të cilin ka diskutuar për prodhimin vendor dhe zhvillimin e bizneseve.
Gjatë vizitës, ministrja Kusari-Lila ka vizituar edhe Parkun Industrial në Shirokë, ku aktualisht veprojnë 56 biznese nga sektorë të ndryshëm të prodhimit dhe punësohen rreth 2 mijë persona.
Në kompaninë “Solid SH.P.K.”, ministrja është njoftuar nga Ahmeti dhe Shefqet Kuqi për procesin e prodhimit të këpucëve dhe standardet e aplikuara në këtë veprimtari. Rreth 80 për qind e fuqisë punëtore të kompanisë janë gra, ndërsa kompania ka instaluar panele solare për prodhimin e energjisë së pastër.
Deri në 75 për qind e produkteve të saj eksportohen në tregjet evropiane dhe së fundmi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kusari-Lila ka vizituar edhe kompaninë “Paradisa Glass and Stone”, ku është takuar me pronarin Xhemajl Hajdari. Pas përvojës së punës në Zvicër, Hajdari është kthyer në Kosovë dhe, së bashku me djemtë e tij, ka investuar në prodhimin e produkteve nga xhami dhe mermeri.
Në Parkun Industrial të Shirokës vepron edhe “WOOD CORPORATION L.L.C.”, e cila eksporton produktet e saj në Zvicër dhe Gjermani dhe punëson mbi 400 punëtorë. Më shumë se gjysma e të punësuarve në këtë kompani janë gra dhe vajza.
Gjatë vizitës, Kusari-Lila ka theksuar rëndësinë e rritjes së prodhimit vendor, zgjerimit të eksporteve dhe krijimit të vendeve të punës, duke vë në pah edhe rëndësinë e përfshirjes së grave dhe vajzave në sektorin e prodhimit.
Në kuadër të vizitës, ministrja dhe përfaqësuesit e Komunës së Suharekës kanë diskutuar edhe për mirëmbajtjen e Parkut Industrial në Shirokë, si dhe për dizajnin dhe përgatitjen e Parkut Industrial në Duhël.
Sipas Kusari-Lilës, kjo qasje mbështetet në Ligjin Nr. 08/L-208 për Parqet Industriale dhe Teknologjike, i cili përcakton një kornizë të re për administrimin dhe menaxhimin e këtyre hapësirave.
Ministrja ka theksuar se përmes zhvillimit të parqeve industriale, veçanërisht atyre me komponentë të gjelbër, synohet avancimi i një modeli më modern dhe të qëndrueshëm të zhvillimit industrial.
Në këtë drejtim, ajo ka bërë të ditur se së shpejti pritet të iniciohet në Gjakovë pilotimi i parë i Parkut Industrial të Gjelbër.

