Agjencia për Pronësi Industriale (API), gjatë vitit 2026, ka shënuar progres të rëndësishëm në modernizimin, efikasitetin dhe fuqizimin institucional të sistemit të pronësisë industriale në Kosovë.
Një nga arritjet kryesore të Agjencisë për Pronësi Industriale ishte reduktimi i ndjeshëm i kohës së regjistrimit të markave tregtare, duke arritur për herë të parë regjistrimin e një marke brenda vetëm 7 muajve, përfshirë të gjitha fazat ligjore të procedurës dhe periudhën tremujore të publikimit në Buletin.
Ky rezultat pasqyron rritjen e efikasitetit në trajtimin e aplikimeve, krahas përshpejtimit të shqyrtimit të kundërshtimeve dhe trajtimit të lëndëve të trashëguara nga periudhat e mëhershme.
Paralelisht, API ka avancuar në modernizimin e administrimit të pronësisë industriale përmes kalimit me sukses në IPAS 4.0, lansimit të Regjistrit të ri elektronik përmes WIPO Publish dhe publikimit të webfaqes së re zyrtare, duke përmirësuar qasjen në të dhëna, informacion dhe shërbime.
Në planin ndërkombëtar, API ka fuqizuar bashkëpunimin profesional përmes marrëveshjes me Zyrën Austriake të Patentave, e cila mundëson kërkime të gjendjes së teknikës dhe opinione profesionale për patentat, si dhe përmes pjesëmarrjes aktive në projektin rajonal të Bashkimit Evropian EU4IP 2026–2028, që mbështet ngritjen e kapaciteteve dhe përafrimin me standardet evropiane.
Gjatë këtij viti janë regjistruar gjithsej 1,734 objekte të pronësisë industriale, përmes 9 buletineve zyrtare janë publikuar 5,104 objekte të pronësisë industriale, ndërsa janë proceduar 6,227 dokumente në kuadër të komunikimit zyrtar me palët.
Një kontribut i rëndësishëm në forcimin e sigurisë juridike përbën edhe botimi profesional “Markat Tregtare në Kosovë”, i cili sistematizon praktikën vendimmarrëse të agjencisë dhe kontribuon në rritjen e konsistencës dhe parashikueshmërisë së vendimeve.
Gjatë kësaj periudhe është shënuar gjithashtu një rritje e dukshme e aktiviteteve promovuese dhe ndërgjegjësuese me biznese, startup-e, universitete, shkolla dhe qendra të inovacionit.