Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim Kryeshefen Ekzekutive të NPQ “Posta e Kosovës” Sh.A., Nora Rraci, me të cilën ka diskutuar për çështje me interes të përbashkët dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në fokus të diskutimit ishte fuqizimi i bizneseve të vogla dhe të mesme, veçanërisht i atyre me potencial eksportues. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me operatorët postarë, duke filluar nga operatori publik, është i rëndësishëm për mbështetjen e bizneseve kosovare në qasjen në tregjet ndërkombëtare, përfshirë edhe aspektin logjistik të eksportimit të produkteve.
Ministrja Kusari-Lila ka vlerësuar gjithashtu rritjen e rolit të grave në pozita drejtuese në institucionet e Kosovës, duke theksuar se fuqizimi i grave është pjesë e zhvillimit institucional dhe ekonomik të vendit.
Në përfundim të takimit, Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, i ka dhuruar ministres Kusari-Lila një dhuratë simbolike nga programi filatelik “Bukuritë Natyrore të Kosovës”.
Takimi u zhvillua në prag të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA, e cila hap mundësi të reja për eksportet kosovare në tregjet e Zvicrës, Lihtenshtajnit, Norvegjisë dhe Islandës.
