Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, ka marrë pjesë në Forumin Kosovë–Luksemburg për Financimin me Ndikim, ku është diskutuar për rolin e sektorit financiar në mbështetjen e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Mehmeti theksoi se një sektor financiar stabil dhe i zhvilluar përbën partner të rëndësishëm për bizneset dhe ekonominë, pasi ndihmon në mobilizimin e investimeve, mbështet rritjen e ndërmarrjeve dhe krijon mundësi për zgjerimin e prodhimit vendor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tij në tregjet ndërkombëtare.
Sipas tij, për të shfrytëzuar këtë potencial nevojiten projekte të përgatitura mirë, qasje më e mirë në financim dhe bashkëpunim i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, sektorit financiar dhe bizneseve. Këto hapa, tha Mehmeti, janë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe tregtar të Kosovës.
Zëvendësministri Mehmeti ka falënderuar institucionet e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë dhe partnerët për organizimin e forumit dhe bashkëpunimin e tyre.
