Ministrja Mimoza Kusari-Lila ka përmbyllë vizitën dyditore në Gjermani

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka qenë në vizitë dyditore në Gjermani, ku përmbylljen e vizitës e kaloi në qytetin e bukur të Kehl-it, në brigjet e lumit Rin.

Sipas ministres, Kehl-i është një qytet i vogël evropian që tregon bukur se si Evropa ka ndryshuar, dikur kufi mes Gjermanisë dhe Francës, sot i lidhur me Strasburgun përmes urave mbi Rinin, duke e kthyer kufirin në hapësirë bashkëpunimi, lëvizjeje dhe miqësie duke e piketuar si një qytet ku urat nuk ndajnë, por bashkojnë, simbol i një Evrope që mban urat hapur.

Kusari-Lila ka potencuar se në këtë qytet u mbajt aktiviteti i organizuar nga Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, i cili mblodhi rreth 420 biznese, shumica shqiptare, por edhe biznese gjermane dhe të tjera të themeluara nga ndërmarrës me prejardhje nga vende të ndryshme, që kanë ndërtuar jetën dhe bizneset e tyre në Gjermani.

Ajo theksoi se mbrëmja filloi dhe u përmbyll nën tingujt e muzikës shqipe, të interpretuar nga mezzosopranoja jonë, Flaka Goranci.

Po ashtu, ajo potencoi faktin se në prani të bashkatdhetarëve tanë, kryetarit të Kryesisë së Unionit, Zenun Krasniqi, dhe presidentit të Bordit Këshillëdhënës të Unionit, Nazmi Viqa, u vu edhe një herë në pah lidhja e fortë me diasporën tonë dhe potenciali i saj për të krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe për të sjellë investime e partneritete të reja me Kosovën.

Në këtë organizim, ministrja pati mundësinë të takojë edhe Kryetarin e Qytetit të Kehl-it, wolfram Britz. Ajo bëri të ditur se bashkë me diplomatët tanë, Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajetin, Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Strasburg, Fitor Muratin, Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Shtutgart, Hamdi Bërbatovcin, si dhe Drejtorin e GIZ Kosovo, Markus Delfs, diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit dhe rolin që diaspora jonë mund të luajë në forcimin e lidhjeve ekonomike.

Gjithashtu, pjesë e këtij takimit ishin edhe përfaqësues të bizneseve nga diaspora jonë dhe sipërmarrës shqiptarë në Gjermani, ndër ta përfaqësues të GREENHOUSE SH.P.K., Faber Media & Production GmbH, SHEHU Group LLC dhe Frigo DELUXE, të cilët prezantuan para të pranishmëve dhe ndanë historitë e tyre të suksesit në të bërit biznes.

Ministrja Kusari-Lila, gjatë prezantimit të saj, para ndërmarrësve, ka folur për mundësitë që ofron Kosova për investime, zhvillim të biznesit dhe bashkëpunim ekonomik, por edhe për potencialin e madh të diasporës sonë përmes përvojës, rrjeteve dhe njohjes së tregjeve gjermane e evropiane.

Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane është dëshmi e fuqisë që ka diaspora jonë kur rrjetëzohet, bashkëpunon dhe ndërton ura. Dhe pikërisht ura të tilla duam të ndërtojmë edhe më shumë mes Kosovës, Gjermanisë dhe tregut evropian

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors