Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me lryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka marrë pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e edicionit të 15-të të festivalit të teknologjisë KosICT, i cili rikthehet më 9 tetor.
Me këtë rast, Kusari-Lila ka uruar Shoqatën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK) për rrugëtimin 15-vjeçar të KosICT, festival që është shndërruar në një hapësirë të takimit të teknologjisë, inovacionit, talentit dhe ideve të reja.
Ajo ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së ideve dhe zhvillimeve në sektorin e teknologjisë, në mënyrë që ato të kenë mundësi të rriten dhe të shndërrohen në iniciativa konkrete. Në këtë drejtim, Kusari-Lila ka përmendur edhe projektin ICT Tower, i cili synon të krijojë një hapësirë për bashkimin dhe fuqizimin e kompanive të teknologjisë dhe të gjithë ekosistemit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kosovë.
Edicioni i 15-të i KosICT shënon një tjetër vit të këtij festivali, i cili përmes teknologjisë dhe inovacionit krijon mundësi për shkëmbimin e ideve dhe zhvillimin e sektorit të teknologjisë në Kosovë.