Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, ka marrë pjesë në panairin “EXPO SHARRI 2026”, në Dragash, ku janë prezantuar prodhimet vendore dhe puna e fermerëve, prodhuesve dhe artizanëve të kësaj treve.
Zëvendësministri Mehmeti ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të produkteve të Sharrit si brende autoktone, duke vlerësuar se ato përfaqësojnë jo vetëm traditën dhe cilësinë, por edhe identitetin e kësaj zone. Sipas tij, promovimi i këtyre produkteve krijon mundësi të reja për prodhuesit lokalë dhe kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë së kësaj treve.
Ai tha se mbështetja e prodhimit vendor nis me njohjen dhe vlerësimin e produkteve vendore, ndërsa zgjedhja e tyre nga konsumatorët ndihmon fermerët dhe bizneset lokale, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik të komunitetit.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar në mbështetjen dhe mbrojtjen e prodhimeve vendore, zhvillimin e bizneseve dhe ngritjen e kapaciteteve prodhuese.


