Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe Ministria Federale e Ekonomisë, Energjisë dhe Turizmit e Austrisë kanë nënshkruar Protokollin e sesionit të gjashtë të Komisionit të Përbashkët për Marrëdhëniet Ekonomike Bilaterale, me të cilin përcaktohen fushat prioritare dhe hapat e mëtejmë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Sesioni u mbajt më 14 tetor 2026 në Vjenë, ku delegacioni i Kosovës u udhëhoq nga Artan Demolli, ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm të MINTI-t, ndërsa delegacioni austriak nga Elisabeth Weissenböck, udhëheqëse e Drejtorisë për Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë në Ministrinë Federale të Ekonomisë, Energjisë dhe Turizmit të Austrisë.
Gjatë takimit, palët diskutuan mundësitë për zhvillimin industrial, integrimin e ndërmarrjeve kosovare në zinxhirët evropianë të furnizimit, energjinë e ripërtëritshme, digjitalizimin, inovacionin dhe pronësinë industriale. Vëmendje iu kushtua edhe menaxhimit të mbeturinave, ekonomisë qarkore dhe arsimit e aftësimit profesional dual, përmes shkëmbimit të ekspertizës dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta.
Protokolli parasheh vazhdimin e koordinimit institucional, organizimin e takimeve ndërmjet ekspertëve dhe lehtësimin e kontakteve mes bizneseve të të dyja vendeve. Këto mekanizma synojnë të ndihmojnë në identifikimin dhe konkretizimin e projekteve të përbashkëta, krijimin e mundësive të reja për investime dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet ndërmarrjeve kosovare dhe austriake.
Në përfundim të sesionit, palët u pajtuan që takimi i ardhshëm i Komisionit të Përbashkët të mbahet në Prishtinë, me synimin për të vazhduar dialogun dhe për të avancuar fushat e dakorduara të bashkëpunimit.
MINTI mbetet e përkushtuar në forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, tërheqjen e investimeve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve kosovare, duke krijuar mundësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe integrim më të madh në tregun evropian.


