Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në Berlin Global Dialogue 2026, forum ndërkombëtar i nivelit të lartë që këtë vit u mbajt nën temën “Forcimi i aleancave për një epokë të re” dhe mblodhi udhëheqës politikë, përfaqësues të ekonomisë dhe drejtues të institucioneve ndërkombëtare për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit global.
Në hapjen e forumit ishte i pranishëm edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, i cili foli për sfidat e ekonomisë liberale evropiane dhe rëndësinë e një Evrope të bashkuar, duke vënë theksin te vlerat dhe resurset e saj.
Në kuadër të forumit, ministrja Kusari-Lila ishte pjesë e panelit “Rritja ekonomike në kohë konfliktesh dhe përparimet teknologjike”, së bashku me Francisco Blanch nga Banka Amerikane, Cecilia Malmström, ish-komisionere e Bashkimit Evropian për Tregti, dhe Alexis Kohler nga Société Générale. Diskutimi u moderua nga Rixa Fursen, drejtuese e podcastit të POLITICO-s.
Gjatë adresimit të saj, ministrja theksoi se konkurrueshmëria e shteteve do të varet gjithnjë e më shumë nga shfrytëzimi efikas i kapitalit njerëzor, qasja në energji të lirë dhe të pastër, si dhe fleksibiliteti i sistemeve ekonomike. Sipas saj, përkundër mundësive të mëdha që sjellin teknologjia dhe inteligjenca artificiale, kapitali njerëzor mbetet një nga faktorët kryesorë të zhvillimit, veçanërisht për ekonomitë e vogla si Kosova.
Ministrja Kusari-Lila tha se Kosova ka dëshmuar potencial për konkurrim në tregjet ndërkombëtare, duke veçuar eksportet e shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), të cilat, sipas saj, në vitin 2025 arritën vlerën prej afro 400 milionë eurosh. Ajo nënvizoi se inovacioni, inteligjenca artificiale dhe investimet në aftësitë e njerëzve mund të krijojnë mundësi të mëtejshme për rritje.
Ajo foli edhe për rëndësinë e hapjes së tregjeve të reja dhe forcimit të partneriteteve ekonomike, duke veçuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me EFTA-n si një hap konkret në këtë drejtim. Ajo theksoi se, përmes politikave që mbështesin inovacionin, investimeve në kapitalin njerëzor dhe krijimit të një mjedisi më të favorshëm për bizneset, synohet që ndërmarrjet kosovare të rriten dhe të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare.
