Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me zëvendësministrin e parë të Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, dhe ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, zhvilloi një takim me komisioneren evropiane për Start-up-et, Kërkimin dhe Inovacionin, Ekaterina Zaharieva, pas miratimit të Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Bashkimit Evropian dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor për forcimin e bashkëpunimit në kërkim dhe inovacion.
Në takim u diskutua për avancimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe rritjen e pjesëmarrjes së studiuesve, universiteteve dhe bizneseve inovative të Kosovës në programet evropiane, veçanërisht në programin Horizon Europe. Po ashtu, vëmendje iu kushtua zhvillimit të mëtejmë të Fondit të Inovacionit dhe krijimit të mundësive për mbështetjen e ideve dhe ndërmarrjeve inovative.
Nga ana e MINTI-t u theksua rëndësia e avancimit të Ligjit për Inovacionin dhe krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm të financimit, për të mbështetur kërkimin, zhvillimin dhe ndërmarrjet inovative nga fazat e hershme deri në zgjerimin e tyre në treg. Në këtë drejtim, u veçua edhe fuqizimi i rolit të grave në inovacion, si dhe rëndësia e arsimit dhe aftësimit profesional, përfshirë arsimin dual, për përgatitjen e të rinjve sipas nevojave të tregut të punës.
Një nga çështjet e diskutuara ishte edhe përfshirja e Kosovës në European Innovation Scoreboard, përmes përmirësimit të mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave, matjes së performancës dhe hartimit të politikave që mbështesin zhvillimin e ekosistemit të inovacionit.
Bashkëpunimi me partnerët evropianë dhe investimet në kërkim e inovacion synojnë të krijojnë kushte që potenciali i Kosovës të shndërrohet në ide, produkte dhe biznese konkurruese, duke hapur mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe të rinjtë në vend.

