Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, priti në takim Jørn Wad, përfaqësues i iniciativës së Odës Ekonomike Norvegjezo-Kosovare, e cila së fundmi është regjistruar dhe funksionalizuar në Norvegji dhe së shpejti pritet ta shtrijë veprimtarinë edhe në Kosovë.
Në takim u diskutuan mundësitë për afrimin e bizneseve të të dy vendeve, nxitjen e investimeve dhe krijimin e mundësive për qasje të produkteve dhe shërbimeve të Kosovës në tregun norvegjez.
Zëvendësministri Mehmeti theksoi se efektet pozitive të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me EFTA-n kanë filluar të shfaqen edhe përmes rritjes së interesimit për bashkëpunim dhe krijimit të lidhjeve të reja ekonomike.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e kësaj nisme, e cila bashkon qytetarë të Kosovës dhe shtetas norvegjezë, përfaqësues të bizneseve, duke veçuar kontributin e diasporës në forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve.
MINTI mirëpret iniciativa të tilla që synojnë të shndërrojnë mundësitë e krijuara nga marrëveshjet tregtare në partneritete konkrete, investime dhe zhvillim ekonomik për Kosovën dhe Norvegjinë.

