Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, zhvilloi një takim me përfaqësues të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Ambasadës Gjermane dhe GIZ-it, ku u diskutua për avancimin e projekteve të përbashkëta dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Në takim morën pjesë Dr. Micong Klimes, zyrtare e lartë për politika në BMZ, Daniel Alker nga Ambasada Gjermane, Josephine Schmiereck nga zyra qendrore e GIZ-it, Markus Delfs, drejtor i GIZ-it në Kosovë, si dhe Edmond Gashi dhe Rudina Qerimi.
Ministrja Kusari-Lila shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë, veçanërisht për asistencën teknike dhe ekspertizën në avancimin e politikave dhe legjislacionit në fushat që mbulon Ministria, si dhe për forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet dy vendeve.
Një nga temat e diskutimit ishte edhe projekti “Diaspora për Zhvillim” dhe mundësitë që ai ofron për të nxitur investimet dhe për të përfshirë më shumë potencialin e diasporës në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Në këtë drejtim, Forumi Ekonomik Kosovë-Gjermani, i organizuar së bashku gjatë kësaj jave, u theksua si një mundësi konkrete për krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet bizneseve, nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e partneriteteve të reja.
Në kuadër të bashkëpunimit të mëtejshëm, u diskutua edhe për zhvillimin e ekosistemit të inovacionit në Kosovë, përfshirë avancimin e Fondit të Inovacionit në kuadër të Agjencisë së re për Inovacion dhe Mbështetje të Ndërmarrjeve, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren.
Bashkëpunimi me Gjermaninë mbetet i rëndësishëm për zhvillimin industrial, inovacionin dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset në Kosovë, si dhe për përparimin e vendit drejt integrimit evropian.