Ministrja Kusari-Lila priti delegacionin gjerman, në fokus investimet dhe partneritetet me bizneset kosovare

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim delegacionin e Odës së Industrisë dhe Tregtisë IHK Ostwürttemberg nga Gjermania, të kryesuar nga Thilo Rentschler, me të cilin diskutoi për mundësitë e investimeve, zhvillimin e prodhimit vendor dhe krijimin e partneriteteve ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve.

Në takim morën pjesë edhe Amir Alizadeh, Erhard Bühler, Wolfgang Leidig dhe Bernd Richter, si dhe Gazmend Rushiti nga DDKG. Gjatë takimit u diskutua për interesimin e delegacionit gjerman për bashkëpunim me bizneset kosovare dhe për mundësitë e zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike përmes investimeve, prodhimit dhe shkëmbimit të përvojave.

Ministrja Kusari-Lila prezantoi potencialin e Kosovës në sektorët me kapacitete të larta eksportuese, si dhe përpjekjet për rritjen e prodhimit vendor, zëvendësimin e një pjese të importeve dhe forcimin e konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë në tregjet ndërkombëtare.

Ajo tha se Kosova ofron fuqi punëtore të kualifikuar, afërsi me tregun e Bashkimit Evropian dhe një mjedis të favorshëm për investime. Gjithashtu, vuri në pah rëndësinë e politikave fiskale, lehtësimit të transaksioneve financiare përmes SEPA-s dhe mundësive për qasje në tregje më të mëdha përmes marrëveshjeve tregtare të Kosovës me CEFTA-n dhe EFTA-n.

Roli i diasporës kosovare në Gjermani ishte një tjetër çështje e diskutuar, me theks te potenciali i saj për të afruar bizneset gjermane me mundësitë e investimit dhe bashkëpunimit në Kosovë.

Takimi zhvillohet në prag të Forumit Ekonomik Kosovë-Gjermani, i cili do të mbahet gjatë dy ditëve në vijim dhe ku pritet të marrin pjesë mbi 500 kompani nga të dyja vendet. Forumi synon të krijojë mundësi të reja për lidhje biznesore, investime dhe partneritete ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors