Raportet mes Kosovës dhe Gjermanisë karakterizohen nga një miqësi e veçantë, e ndërtuar ndër vite mbi besimin, afërsinë dhe mbështetjen e ndërsjellë.
Në prag të Forumit të 3-të Ekonomik Gjermano-Kosovar, ministrja Mimoza Kusari-Lila ka qenë nikoqire e një darke të nivelit të lartë, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, drejtues dhe anëtarë të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV), përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale të të dyja vendeve, si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Sipas ministres Kusari-Lila, kjo miqësi përbën një bazë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, forcimin e partneriteteve ekzistuese dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset e të dyja vendeve.
Ajo ka shtuar se nesër, në Forumin e 3-të Ekonomik Gjermano-Kosovar, të organizuar nga KDWV, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të vazhdojmë diskutimet për mundësi të reja bashkëpunimi dhe zgjerimin e partneriteteve ekonomike.
Kusari-Lila ka shpreh kënaqësi të veçantë për të mirëpritur edhe një numër të madh përfaqësuesish të diasporës sonë në Gjermani, të cilët përmes bizneseve dhe veprimtarisë së tyre, përbëjnë një urë të rëndësishme lidhëse mes dy ekonomive dhe dy vendeve tona.
