Ministrja Kusari-Lila dhe Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane diskutojnë lehtësimin e ofrimit të shërbimeve në Gjermani

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, me të cilët diskutoi për lehtësimin e ofrimit të shërbimeve nga bizneset kosovare në tregun gjerman dhe mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje për lejet e përkohshme të punës për punëtorët e angazhuar jashtë vendit.

Në takim morën pjesë Zenun Krasniqi, kryetar i Kryesisë së Unionit, Virtyt Ibrahimaga, anëtar i Bordit Këshillëdhënës, Faton Shehu, nënkryetar i Kryesisë, Irfan Përçuku, sekretar i Unionit, Burim Kuraja, anëtar i Kryesisë, dhe Azem Rexhaj, drejtor ekzekutiv.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Unionit i prezantuan ministres draftin e marrëveshjes për lejet e përkohshme të punës për punëtorët që angazhohen jashtë vendit në ofrimin e shërbimeve, përfshirë montimin, instalimin dhe shërbime të tjera profesionale.

Ministrja Kusari-Lila bëri të ditur se drafti do të diskutohet me ministritë përkatëse, pas së cilës synohet të zhvillohen negociata me palën gjermane për arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme për të dyja palët.

Lehtësimi i ofrimit të shërbimeve në tregun gjerman dhe më gjerë në Bashkimin Evropian është një nga kërkesat e vazhdueshme të bizneseve kosovare. Përparimi në këtë drejtim pritet të krijojë mundësi për zgjerimin e veprimtarisë së tyre, rritjen e prodhimit dhe shtimin e eksporteve të produkteve dhe shërbimeve.

Takimi u zhvillua në margjinat e Forumit Ekonomik Kosovaro-Gjerman që po mbahet në Prishtinë, në kuadër të bashkëpunimit me organizatat e bizneseve dhe përpjekjeve për të adresuar nevojat e sektorit privat. Mbështetja e bizneseve kosovare në zgjerimin e veprimtarisë në tregjet e huaja mbetet një nga drejtimet e bashkëpunimit për forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors