Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në edicionin e 15-të të nismës “Balkan Green Ideas”, të organizuar nga Balkan Green Foundation në Prizren, ku 16 pjesëmarrës nga vendet e rajonit prezantuan idetë e tyre për biznese të gjelbra dhe ndërmarrësi sociale.
Hapja e këtij edicioni u bë nga drejtori ekzekutiv i Balkan Green Foundation, Dardan Sejdiu, ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve, organizatave dhe partnerëve ndërkombëtarë që mbështesin këtë nismë, përfshirë drejtoreshën ekzekutive të CDF-së, Nermin Mahmuti.
Në mesin e mbështetësve kyç ishin Daniele Castle, bashkëdrejtoreshë e Departamentit të Filantropisë në Universitetin e Gjenevës dhe anëtare e bordit të Helvetas, Mislav Omazic, dekan në detyrë në IEDC Bled School of Management, si dhe Giorgi Georgiev, drejtor i programit në Elevate Accelerator, AUBG.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Kusari-Lila foli për rëndësinë e ndërmarrësisë së gjelbër dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, duke rikujtuar edhe angazhimin e saj të mëhershëm në avancimin e agjendës së gjelbër në Kosovë gjatë dy mandateve si drejtuese e Grupit të Deputetëve të Gjelbër.
Ajo bëri të ditur se transformimi i gjelbër është një nga prioritetet e MINTI-t dhe se Strategjia për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030 parasheh zhvillimin e prodhimit të gjelbër dhe kalimin gradual drejt ekonomisë qarkore.
Në këtë drejtim, ministrja njoftoi se MINTI do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me IFC-në dhe Bankën Botërore për zhvillimin dhe zbatimin e konceptit të eko-parqeve industriale në Kosovë. Ky koncept synon të krijojë kushte që bizneset brenda parqeve industriale të bashkëpunojnë më ngushtë, të shfrytëzojnë së bashku burimet dhe kapacitetet dhe të rrisin vlerën e prodhimit me ndikim më të vogël në mjedis.
Kusari-Lila përmendi gjithashtu skemat e granteve për investime në energji të pastër, të zbatuara në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev. Ajo bëri të ditur se për vitin e ardhshëm, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, synohet lansimi i një skeme të re grantesh për të mbështetur bizneset në zbatimin e parimeve të ekonomisë qarkore.
Gjatë 15 edicioneve, “Balkan Green Ideas” ka pranuar më shumë se 1,000 aplikime dhe ka mundësuar mbi 500 mijë dollarë investime për zhvillimin e ideve të ndërmarrësisë së gjelbër në rajon.
Nisma synon të krijojë mundësi për zhvillimin e ideve të reja dhe shndërrimin e tyre në biznese të qëndrueshme, duke kontribuar në një ekonomi më të gjelbër dhe më konkurruese.
