Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, ka bërë të ditur se Ministria po punon në avancimin e matjes së rezultateve të inovacionit në Kosovë, përmes përafrimit me Tabelën Evropiane të Rezultateve të Inovacionit (European Innovation Scoreboard – EIS).
Përmes përdorimit të treguesve të njëjtë me vendet e tjera evropiane, EIS mundëson krahasimin e rezultateve të Kosovës me ato të vendeve të tjera dhe përcjelljen e përparimit në fushën e inovacionit nga viti në vit. Këta tregues ndihmojnë, ndër të tjera, të kuptohet se sa ndërmarrje po sjellin produkte të reja në treg dhe sa prej tyre bashkëpunojnë me universitetet për zhvillimin e ideve të reja.
Aktualisht, për Kosovën janë në dispozicion ose mund të përllogariten 17 nga gjithsej 32 treguesit e EIS-it. Udhërrëfyesi i propozuar synon që ky numër të rritet në së paku 24 tregues dhe ta përgatisë vendin për raportim në vitin 2028. Ai tha se një nga hapat e paraparë është realizimi i anketës së inovacionit në ndërmarrje, përmes së cilës do të mblidhen drejtpërdrejt të dhëna nga bizneset për mënyrën se si zhvillojnë produktet dhe proceset e tyre.
Sipas zëvendësministrit Mehmeti, MINTI do ta bashkërendojë këtë proces me Agjencinë e Statistikave të Kosovës dhe institucionet tjera partnere, me mbështetjen e GIZ-it. Të dhënat e mbledhura do të shërbejnë si bazë për orientimin e fondeve publike drejt inovacionit dhe për vlerësimin e rezultateve që sjellin investimet në këtë fushë.

