MINTI dhe TERMOKOS bashkërendojnë veprimet për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe verifikimin e matësve të energjisë termike

Në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkërendimit institucional për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) kanë zhvilluar një takim të përbashkët me përfaqësuesit udhëheqës të ndërmarrjes publike TERMOKOS.

Gjatë këtij takimi, drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK), znj. Sebahate Bushrani, së bashku me këshilltarin e kabinetit të Ministres, z. Ali Tafarshiku, kanë theksuar rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Metrologjinë dhe të rregulloreve përkatëse për mjetet matëse, me theks të veçantë në verifikimin periodik të matësve të energjisë termike, në përputhje me kërkesat dhe afatet ligjore.

Nga ana e përfaqësuesve të TERMOKOS-it, drejtori i Furnizimit, z. Kastriot Blaca, ka prezantuar projektin që është duke u implementuar përmes fondeve të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), i cili parasheh vendosjen e matësve të energjisë termike për të gjithë konsumatorët e ngrohjes në kryeqytet.

Sipas informatave të prezantuara, projekti pritet të përfundojë në gjysmën e vitit 2027. Pas përfundimit të tij, AMK do të sigurojë të dhënat për të gjithë matësit e instaluar dhe në përputhje me afatet dhe kërkesat ligjore, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për verifikimin e tyre në laboratorë profesionalë të autorizuar.

Ky takim është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sigurimin e zbatimit të legjislacionit në fushën e metrologjisë.

Kontrolli dhe verifikimi ligjor i mjeteve matëse janë thelbësore për garantimin e saktësisë së matjeve, faturimit të drejtë të konsumatorëve dhe parandalimin e praktikave të padrejta ndaj tyre.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors