Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Banka Botërore kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e eko-parqeve industriale në Kosovë, përmes një projekti që synon avancimin e infrastrukturës industriale, krijimin e kushteve më të mira për bizneset dhe tërheqjen e investimeve të reja.
Në ceremoninë e prezantimit të projektit morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, përfaqësues të Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe të sektorit privat.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se zhvillimi i eko-parqeve industriale shënon një hap drejt një modeli më modern dhe të qëndrueshëm të zhvillimit industrial, ku rritja e prodhimit shoqërohet me shfrytëzim më efikas të burimeve dhe ndikim më të vogël në mjedis.
Ajo bëri të ditur se projekti synon avancimin e infrastrukturës industriale, përdorimin e energjisë së ripërtëritshme, zbatimin e parimeve të ekonomisë qarkore dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet ndërmarrjeve për ripërdorimin e materialeve dhe reduktimin e mbetjeve. Gjithashtu, ajo theksoi se këto ndërhyrje synojnë të krijojnë kushte më të favorshme për zhvillimin e bizneseve, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përgatitjen e prodhuesve vendorë për kërkesat e tregjeve ndërkombëtare.
Sipas ministres, eko-parqet industriale pritet të ndihmojnë në tërheqjen e investimeve private, rritjen e eksporteve dhe krijimin e vendeve të reja të punës, me mundësi më të mëdha edhe për gratë dhe të rinjtë. Ajo iu referua edhe raportit të IFC-së dhe Bankës Botërore për sektorin privat në Kosovë, i cili vlerëson potencialin për mobilizimin e 1.2 deri në 1.5 miliardë dollarëve investime private dhe krijimin e 61 mijë deri në 87 mijë vendeve të reja të punës.
Kusari-Lila potencoi se puna do të përqendrohet në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, përgatitjen e projekteve dhe mobilizimin e investimeve, si dhe promovimin ndërkombëtar të zonave industriale për tërheqjen e investitorëve strategjikë. Ajo shtoi se rezultatet e këtij projekti do të vlerësohen përmes investimeve të realizuara, vendeve të reja të punës, rritjes së eksporteve dhe zvogëlimit të ndikimit mjedisor të industrisë.
Kryeministri Albin Kurti tha se zhvillimi i eko-parqeve industriale janë në përputhje me orientimin e Qeverisë për një ekonomi qarkore dhe konkurruese. Ai theksoi se këto parqe duhet të krijojnë kushte që një pjesë e produkteve që aktualisht importohen të prodhohen në Kosovë, duke zgjeruar kapacitetet prodhuese dhe duke nxitur investime të reja.
“Ne duam që sa më shumë mallra që sot i blejmë nga jashtë të prodhohen në Kosovë. Prandaj, parqet industriale i shohim si një nga mekanizmat që mund të na ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi. Aty u ofrohet bizneseve vendore hapësira dhe infrastruktura e nevojshme për t’i zgjeruar kapacitetet prodhuese, ndërsa krijojnë kushte më tërheqëse për investitorët e huaj që dëshirojnë të zhvendosin një pjesë të veprimtarisë së tyre prodhuese në vendin tonë. Për ne është me rëndësi që investimet e tilla të sjellin jo vetëm kapital, por edhe vende të reja pune, teknologji, njohuri dhe mundësi për bashkëpunim me furnizuesit vendorë”, tha kryeministri Kurti.
Shefi i Bashkëpunimit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave për realizimin e projektit. Ai theksoi se eko-parqet industriale janë pjesë e qasjes evropiane për një ekonomi më konkurruese dhe të qëndrueshme, ndërsa BE-ja po e mbështet këtë nismë rajonale në bashkëpunim me IFC-në.
Ndërkaq, menaxherja e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand, tha se projekti synon të ndihmojë bizneset në tejkalimin e barrierave që lidhen me shfrytëzimin efikas të energjisë, ujit dhe burimeve natyrore, si dhe me menaxhimin e mbeturinave. Ajo nënvizoi se këto përmirësime mund të kontribuojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendore dhe prezencën e tyre në tregjet ndërkombëtare.
Projekti për zhvillimin e eko-parqeve industriale mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe zbatohet nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore. Njëherësh, projekti synon të avancojë kornizën ligjore dhe institucionale për parqet industriale dhe të integrojë parimet e ekonomisë qarkore në zhvillimin e tyre.




