Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, ka theksuar rëndësinë e zbatimit të standardeve ndërkombëtare për sigurinë e informacionit dhe mbrojtjen e të dhënave, si faktorë të rëndësishëm për rritjen e besimit të klientëve dhe konkurrueshmërisë së bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare.
Këtë qëndrim ai e shprehu në lansimin e iniciativës ISO/IEC 27001 – “Securing Kosovo’s Digital Future”, e cila synon të nxisë zbatimin e standardeve për menaxhimin e sigurisë së informacionit.
Mehmeti theksoi se këto standarde u ndihmojnë bizneseve të identifikojnë dhe menaxhojnë rreziqet, të mbrojnë informacionin dhe të forcojnë pozitën e tyre në tregjet ndërkombëtare.
Në kuadër të MINTI-t, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit të Kosovës po zhvillon skema të reja për akreditimin e trupave që kryejnë certifikimin e sistemeve të menaxhimit dhe të personelit.
Paralelisht, Ministria po punon drejt arritjes së marrëveshjes së njohjes shumëpalëshe me Organizatën Evropiane për Akreditim, me synim rritjen e besueshmërisë së shërbimeve të akreditimit dhe lehtësimin e qasjes së bizneseve kosovare në tregjet evropiane.
Me këtë rast, zëvendësministri Mehmeti ka vlerësuar kontributin e SHPIK-ut, Shoqatës Austriake të Informatikës (OCG) dhe partnerëve austriakë në zhvillimin e kësaj iniciative.
MINTI mbetet i angazhuar në avancimin e infrastrukturës së cilësisë dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare, si mbështetje për një ekonomi më konkurruese, të sigurt dhe të orientuar drejt inovacionit.

