Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar një takim pune me kryetarin e Komunës të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ku kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe projektet që synojnë zhvillimin ekonomik të komunës.
Një nga temat kryesore të takimit ishte Parku Industrial në Frashër, projekt që po realizohet në bashkëpunim ndërmjet MINTI-t dhe Komunës së Mitrovicës. Aktualisht, po përmbyllen punimet e fazës së tretë, të cilat kanë nisur në muajin prill të këtij viti, ndërsa paralelisht po bëhen përgatitjet për fillimin e punimeve të fazës së katërt.
Ministrja Kusari-Lila dhe kryetari Peci riafirmuan përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit institucional, me synim avancimin e projekteve zhvillimore dhe krijimin e kushteve për zhvillim më dinamik të komunës dhe ekonomisë së vendit.