Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në hapjen e pikës së parë të kompanisë kosovare 3P – DHL Express në Mitrovicën e Veriut, së bashku me ministrin Nenad Rashiq dhe drejtorin e Asociacionit të Bizneseve Kosovare-Gjermane, Besnik Vasolli.
Hapja e kësaj pike zgjeron shërbimet postare dhe logjistike për qytetarët dhe bizneset e kësaj komune, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e veprimtarisë ekonomike dhe qasjen në shërbime.
Ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e shtrirjes së investimeve dhe veprimtarisë së bizneseve në të gjitha pjesët e Kosovës, duke vlerësuar se zhvillimi ekonomik duhet të shoqërojë progresin institucional. Ajo veçoi faktin se në këtë pikë janë angazhuar punonjës nga vetë Mitrovica e Veriut, ndërsa kompania udhëhiqet nga Shqipe Dushi, duke nënvizuar edhe rolin e grave në drejtimin e bizneseve.
Kusari-Lila theksoi se MINTI po punon për krijimin e një tregu të rregulluar, përmirësimin e kushteve të të bërit biznes dhe zbatimin e standardeve që mbështesin zhvillimin e drejtë dhe të qëndrueshëm të sektorëve ekonomikë.
Zgjerimi i shërbimeve të kompanisë 3P – DHL Express në Mitrovicën e Veriut paraqet një mundësi shtesë për qytetarët dhe bizneset lokale dhe kontribuon në synimin për një zhvillim ekonomik më të njëtrajtshëm në të gjithë territorin e Kosovës.