Ministrja Kusari-Lila vizitoi lokacionet e planifikuara për parqe industriale në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me zëvendësministrin e parë, Fatban Bunjaku, ka vizituar dy lokacione në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan, të identifikuara për zhvillimin e parqeve industriale.

Gjatë vizitës, është diskutuar për potencialin e këtyre hapësirave dhe mundësitë që ato ofrojnë për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Delegacioni i MINTI-t vizitoi edhe ndërmarrjen NaNatura, e cila merret me prodhimin e produkteve vendore, përfshirë ajvarin dhe salcën e domateve. Ministrja Kusari-Lila u prit nga pronarja e ndërmarrjes, Negjmije Topallaj, e cila pas disa vitesh të kaluara në Gjermani është kthyer në Kosovë dhe ka investuar në prodhimin vendor.

NaNatura ka zhvilluar një gamë produktesh bio, duke kontribuar në pasurimin e ofertës vendore dhe në zinxhirin e prodhimit, përpunimit dhe kultivimit të frutave dhe perimeve.

Ministrja Kusari-Lila theksoi se zhvillimi i infrastrukturës industriale përmes parqeve që ofrojnë hapësirë dhe kushte të përshtatshme për prodhim është një mundësi për shfrytëzimin e potencialit ekonomik të rajoneve, mbështetjen e bizneseve prodhuese dhe zgjerimin e investimeve.

Kjo vizitë vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes me Grupin e Bankës Botërore për zhvillimin e Parqeve Eko-Industriale, përmes së cilës synohet që zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura industriale të shtrihen në të gjitha rajonet e Kosovës.

Aktualisht po vazhdon puna për përmbushjen e kritereve dhe përgatitjen e kushteve të nevojshme, me synimin që gjatë vitit të ardhshëm të fillojnë punimet në terren dhe të hapen thirrjet për bizneset e interesuara.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors