Kompanitë e Kosovës kanë nisur prezantimin e tyre në pavijonin e përbashkët në kuadër të samitit ndërkombëtar të teknologjisë dhe inovacionit, Web Summit, që po mbahet në Lisbonë të Portugalisë.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, bëri të ditur se në kuadër të pjesëmarrjes së kompanive kosovare është organizuar edhe një aktivitet rrjetëzimi, i cili mblodhi përfaqësues të kompanive nga Japonia, Irlanda, Kanadaja, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje ndërkombëtare do të vazhdojë edhe me një panel të përbashkët, kushtuar rëndësisë së zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ministrja Kusari-Lila falënderoi Ambasadën e Kosovës në Portugali dhe ambasadoren Edona Maloku Bërdyna për mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e aktiviteteve të delegacionit kosovar.