Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në panelin ministror të Forumit Ekonomik të Vjenës (Vienna Economic Forum).
Pjesa e parë e ditës në forum iu kushtua prezantimit të progresit të Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ndërsa në panelin ministror, ku ka marrë pjesë ministrja, gjatë pasdites, është diskutuar për “Common Vision for a Longstanding Economic Cooperation”, ku së bashku me ministra dhe përfaqësues të lartë nga Ballkani Perëndimor dhe rajoni më i gjerë, kanë diskutuar për specifikat dhe prioritetet e shteteve përfaqësuese, si dhe për objektivat e përbashkëta drejt integrimit evropian.
Me këtë rast, Kusari-Lila ka falënderuar Dr. Emil Brix, Presidentin e Forumit Ekonomik të Vjenës dhe Ambasadoren Dr. Elena Kirtcheva, Sekretare të Përgjithshme, për ftesën dhe organizimin e këtij forumi.
Në adresimin e saj, ministrja ka potencuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, integrimit evropian dhe krijimit të mundësive të reja për investime dhe zhvillim ekonomik dhe njëkohësisht ka përgëzuar Malin e Zi për progresin e arritur në procesin e integrimit evropian, si dhe ka nënvizuar se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në vazhdim të prezantimit, ministrja është ndalë te reformat ekonomike dhe legjislative të Kosovës, sektorët me potencial të lartë rritjeje dhe mundësitë konkrete për investime.
Kusari-Lila, gjithashtu ka prezantuar marrëdhëniet ekonomike me Austrinë dhe potencialin e Kosovës në prodhim, inovacion dhe zhvillimin e parqeve eko-industriale, duke ftuar bizneset ndërkombëtare të bëhen pjesë e transformimit dhe zhvillimit tonë industrial.
Ajo, në përfundim të diskutimit të saj, ka theksuar se një vizion i përbashkët për Ballkanin Perëndimor nënkupton më shumë integrim, bashkëpunim, stabilitet dhe siguri, duke krijuar mundësi për zhvillim ekonomik dhe prosperitet të qëndrueshëm për të gjithë.