Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në hapjen e edicionit të tretë të Forumit Ekonomik Kosovë–Poloni, i cili po mbahet në Prishtinë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe komunitetit të biznesit nga të dyja vendet.
Forumi synon të krijojë partneritete të reja dhe të nxisë investimet në sektorët me potencial për zhvillim, përfshirë ekonominë digjitale, mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike, prodhimin e avancuar, infrastrukturën dhe energjinë.
Në fjalën e saj para pjesëmarrësve, ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e rritjes së investimeve polake në Kosovë, zgjerimit të pranisë së produkteve kosovare në tregun polak dhe krijimit të ndërmarrjeve të përbashkëta, me fokus në inovacion, teknologji, prodhim dhe shërbime.
Ajo tha se një nga synimet e Qeverisë dhe MINTI-t është orientimi i ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, duke përmendur edhe rritjen e bashkëpunimit tregtar me Poloninë. Sipas saj, synohet që përveç rritjes së importeve dhe partneriteteve nga Polonia, të shtohet edhe prania e produkteve kosovare në tregun polak, në mënyrë që shkëmbimet tregtare të jenë më të balancuara dhe me përfitime të ndërsjella.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte integrimi i prodhuesve kosovarë në tregun e Bashkimit Evropian përmes zgjerimit të mundësive për ofrimin e shërbimeve të montimit dhe instalimit. Në këtë drejtim, ministrja bëri të ditur se po punohet për marrëveshje bilaterale për leje të përkohshme pune, të cilat do t’u mundësonin kompanive kosovare t’i shoqërojnë produktet e tyre me shërbime drejtpërdrejt te klientët në tregjet evropiane.
Forumi është organizuar nga MINTI, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Poloni. Pas edicioneve të mëparshme në Prishtinë më 2022 dhe në Varshavë më 2024, këtë vit forumi rikthehet në kryeqytetin e Kosovës.
Në kuadër të forumit janë zhvilluar takime të drejtpërdrejta B2B dhe B2G ndërmjet bizneseve dhe institucioneve të të dy vendeve, me synimin që kontaktet e krijuara të konkretizohen në kontrata, investime dhe bashkëpunime të reja ekonomike.
