MINTI organizon seminar informues për zbatimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në hapjen e seminarit informues për zbatimin praktik të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA, të organizuar nga MINTI në bashkëpunim me Sekretariatin e EFTA-s.

Marrëveshja, e cila ka hyrë në fuqi më 1 tetor 2026, u mundëson bizneseve të Kosovës qasje në tregun e katër shteteve anëtare të EFTA-s, Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit, me rreth 30 milionë konsumatorë dhe fuqi të lartë blerëse.

Në seminar morën pjesë zëvendës sekretari i përgjithshëm i EFTA-s, Markus Schlagenhof, zëvendës shefi i Misionit të Zvicrës në Kosovë, Christoph Fuchs, zyrtarja për Kosovën në Sekretariatin e EFTA-s, Laura Störi, si dhe ekspertë të tjerë të përfshirë në zbatimin e marrëveshjes.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Kusari-Lila prezantoi të dhënat mbi shkëmbimet tregtare me shtetet e EFTA-s, duke theksuar se gjatë vitit 2025 eksportet e mallrave të Kosovës drejt këtyre shteteve kanë tejkaluar 100 milionë euro, me rritje prej 15 për qind. Ndërkaq, në tregtinë e shërbimeve, Kosova ka realizuar suficit prej 2.37 miliardë eurosh, me Zvicrën si partnerin kryesor tregtar në këtë sektor.

Ajo theksoi se qasja në tregjet e EFTA-s krijon mundësi për ndërmarrjet vendore që të zgjerojnë kapacitetet prodhuese, të diversifikojnë produktet, të investojnë në teknologji dhe të krijojnë partneritete me kompani të konsoliduara. Këto bashkëpunime mundësojnë shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës, ngritjen e standardeve të menaxhimit dhe integrimin e bizneseve kosovare në zinxhirët evropianë të vlerës.

MINTI, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, do të vazhdojë të ofrojë mbështetje praktike për bizneset, me qëllim që ato të shfrytëzojnë mundësitë që ofron marrëveshja dhe të rrisin eksportet, investimet dhe punësimin.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors