Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, vizitoi kompaninë Solution25 në Prishtinë, ku u prit nga themeluesit e saj, vëllezërit Besnik dhe Besar Bilalli.
Gjatë vizitës, ministrja u njoftua për veprimtarinë e kompanisë, e cila pesë vite më parë u zgjerua në Kosovë nga themeluesit e saj, të kthyer nga Gjermania. Solution25 ofron shërbime profesionale për kompani në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fushat e zhvillimit të softuerit, tregtisë elektronike dhe inteligjencës artificiale.
Kompania ka gjithsej 135 punëtorë në Prishtinë, Bremen dhe Nju Jork, ndërsa tashmë ka nisur një plan të ri zgjerimi në fushën e materialeve efikase dhe natyrore. Përmes laboratorit Echonut dhe në bashkëpunim me partnerë gjermanë, Solution25 po fillon prodhimin e paneleve akustike të biodegradueshme, të cilat do të prodhohen nga lëvozhgat e bajameve.
Kjo nismë ndërthur përvojën ndërmarrëse të diasporës me mundësitë për zhvillimin e ekonomisë qarkore dhe të qëndrueshme në Kosovë, përmes investimeve në hulumtim dhe zhvillim, prodhim dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve vendore në inovacion dhe prodhim, duke vënë në pah synimin që Kosova, përveç ofrimit të shërbimeve teknologjike, të zhvillohet edhe si qendër rajonale për hulumtim, inovacion dhe prodhimin e produkteve për tregjet ndërkombëtare.


