Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, priti në takim pune Ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, me të cilën diskutoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqjen e investimeve finlandeze në Kosovë.
Gjatë takimit, ministrja Kusari-Lila prezantoi hapat që po ndërmerr MINTI për tërheqjen e investimeve, me fokus të veçantë në zhvillimin e Zonave Eko-Industriale, të cilat paraqesin mundësi për kompanitë e huaja, përfshirë ato finlandeze, që synojnë të zgjerojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë. Në këtë drejtim, u theksuan klima e të bërit biznes dhe potenciali i fuqisë së re punëtore në vend.
Ambasadorja Laaksonen ndau vlerësimet pozitive të disa kompanive finlandeze që tashmë operojnë në Kosovë, lidhur me klimën e biznesit dhe mikpritjen në vend.
Në takim u diskutuan edhe mundësi të reja për bashkëpunim, përfshirë organizimin e “Ditës së Kompanive Nordike” në Kosovë dhe forcimin e lidhjeve me afaristët kosovarë që veprojnë në Finlandë. Po ashtu, ambasadorja e ftoi Kosovën të marrë pjesë vitin e ardhshëm në SLUSH, ngjarjen ndërkombëtare për startup-et dhe inovacionin që mbahet në Helsinki.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe fuqizimit ekonomik të grave dhe mundësive për thellimin e bashkëpunimit institucional në këtë fushë. Gjatë takimit u përmend gjithashtu komuniteti i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Finlandë, ku sipas ministres mbi 22 mijë qytetarë kosovarë janë të integruar në shoqërinë finlandeze.